Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Aleatët e Partisë Socialiste në Parlament, nuk janë për ndryshim të sistemit zgjedhor në vend. Kryetari i PBDNJ Vangjel Dule dhe presidentit i PAD Neritan Ceka nuk përjashtojnë mundësinë e marrjes pjesë të partive të tyre në tryezën e thirrur nga opozita për sistemin zgjedhor, ndërsa shprehen kundër prekjes së Kushtetutës.

Vangjel Dule:- “Ne mendojmë, se problemi në gjithë procesin zgjedhor nuk ka qenë me sistemin, por ka qenë në aspekte të tjera. Edhe produkti i tij ka qenë mundësia për një qeverisje të qëndrueshme dhe afatgjatë, rrjedhimisht mendojmë se nuk ekzistojnë arsyet për të prekur thelbin e sistemit”.

Neritan Ceka:- “Sistemi zgjedhor që kemi aktualisht dhe që vjen që nga 1992, ka funksionuar, ka siguruar stabilitet politik në përgjithësi, ka futur në parlament të gjitha forcat politike të përfaqësuara seriozisht në elektorat, duke përfshirë edhe ato që janë në minorancë dhe nuk ka asnjë nevojë për të ndryshuar këtë sistem politik”.

Edhe PSD ka deklaruar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga opozita, por socialdemokratët saktësojnë se nuk janë për ndryshim të sistemit dhe prekje të Kushtetutës së vendit./tvklan.al