Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) feston ditën e sotme pesëvjetorin e krijimit (Lexo më shumë). Për këtë arsye u organizua një ceremoni ku pjesë ishte edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof. Në fjalën e tij, Kasanof përgëzoi SPAK për punën në gjithë këto vite.
Zyrtari i lartë i DASH theksoi në fjalën e tij se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish edhe pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Përndryshe, sipas Kasanof, rrezikohet përpjekja më e suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare.
“Teksa festojmë 5 vitet e para të SPAK-ut shikojmë drejt së ardhmes me shpresë e dëshirë. Ne kemi besim se SPAK-u sapo ka filluar dhe duhet të vazhdojë të ngjallë besim tek qytetarët e Shqipërisë, vizitorët dhe investitorët se një e ardhme më e sigurt, më e begatë dhe më demokratike është e mundur. Për t’u siguruar që SPAK-u të vazhdojë pandërprerë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare dhe rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre institucionale”, u shpreh Kasanof.
Kujtojmë se në Prill të këtij viti, gjatë raportimit të tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi se u duhet dhënë një mundësi prokurorëve të posaçëm për rikandidim pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar. Sipas tij, e para sepse ata duhen parë si “aset” dhe së dyti sepse Shqipëria nuk ka shumë prokurorë të kualifikuar, për të mbushur më pas boshllëkun që krijohet (Lexo më shumë).
“Është investuar aq shumë nga shteti te këta prokurorë, por edhe nga partnerët, për ngritjen e tyre profesionale saqë unë mendoj se janë aset që duhen shfrytëzuar. Ne nuk e kemi luksin që këto asete t’i çojmë në një vend tjetër, ne nuk kemi aq shumë prokurorë të kualifikuar, me integritet saqë të plotësojnë boshllëkun. Sepse njëkohësisht ikin 9 prokurorë njëherësh… Si do mbushet boshllëku?”, tha në atë kohë Dumani para KLP-së.
Të njëjtën ide, Dumani e mbrojti edhe para deputetëve të Kuvendit kur raportoi përpara Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë. Kreu i SPAK e argumentoi kërkesën me nevojën për vazhdimësinë e rezultateve, hetimit të çështjeve dhe një garanci për standardet e institucionit dhe jo si një shqetësim për karrierën e tyre.
“Çështja duhet të trajtohet në kuadër të vazhdimësisë së institucionit”, tha ai asokohe.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme. Sipas ligjeve në fuqi, Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme zgjidhen për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi./tvklan.al