Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof zhvilloi vizitën e tij të parë në Shqipëri, që korrespondoi me 5-vjetorin e krijimit të SPAK.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndihmojnë Prokurorinë e Posaçme që të përmbushë misionin e vet.
“Është për t’u theksuar se në takimet e mia publike dhe private, fola për rëndësinë që ka sundimi i ligjit dhe se asnjë burrë a grua nuk është mbi ligjin dhe se çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku çojnë provat dhe kjo është diçka që e mbështesim jo vetëm si proces, por edhe si një radhë faktesh në terren që ndihmojnë për të luftuar korrupsionin dhe çrrënjosur krimin e organizuar, një përpjekje që Shqipëria po e kalon dhe që e kanë kaluar edhe vende të tjera, përfshi vendin tim, dhe një përpjekje që duhet ta fitojmë dhe prandaj është me rëndësi ta shohim suksesin e SPAK-ut.”
Zv.ndihmës sekretari amerikan i Shtetit theksoi mbështetjen amerikane për qeverinë shqiptare dhe reformat integruese që ajo po kryen.
“Biseduam me zyrtarë të ndryshëm, përfshi Kryeministrin lidhur me udhëheqësin e tij në procesin e reformave për në BE. Dhe lidhur me këtë, e përgëzova për përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të kryer ato reforma dhe rezultatet që ato kanë siguruar për Shqipërinë, përfshi hapjen e një grup-kapitulli të dytë, çka është vërtet e përgëzueshme.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë edhe pritshmëri nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025
“Presim të shohim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që do të respektohet vullneti i popullit. Po ashtu, shpresojmë fort që do të shohim kandidatë që janë tërësisht të panjollosur nga korrupsioni apo nga lidhje me krimin e organizuar. Mendojmë se do të ishte rezultati më i mirë për Shqipërinë.”
Në intervistën për Zërin e Amerikës, zoti Kasanof foli edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, duke theksuar se po ndihmojnë më hetimet mbi sulmin e 29 Nëntorit.
Klan News