Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se “çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku të çojnë provat”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kasanof thotë se në takimet që ai pati gjatë vizitës në Tiranë, ka vënë theksin te rëndësia që ka sundimi i ligjit duke nënvizuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin. Lidhur me zhvillimet në Kosovë, zoti Kasanof shprehet se nuk mund të bëjë komente mbi qëndrimet e administratës së ardhshme

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri, që pas marrjes së detyrës. A mund të ndani me ne cilat ishin çështjet kryesore të diskutuara me autoritetet shqiptare?

Alexander Kasanof: Së pari, Armand, është kënaqësi të jem me ju sot. Faleminderit për ftesën në programin tuaj. Dëshiroj të them se është kënaqësi e madhe të jem këtu në Tiranë. Është vërtet vizita ime e parë këtu, por nuk mund të isha më i lumtur që e bëj këtë vizitë të rëndësishme në një kohë të rëndësishme. E dini, bëjmë shumë në partneritet me Shqipërinë. E mbështesim qeverinë dhe reformat që ajo po ndjek në rrugën për anëtarësimin në BE saqë mendova se ishte e rëndësishme t’i kushtoja një udhëtim më vete Shqipërisë, në detyrën time të re, siç e përmendët, për t’u siguruar që të kishim mundësinë të bisedonim me qeverinë si dhe njerëz jashtë qeverisë dhe për të shprehur mbështetjen tonë për reformat në vazhdim, sidomos në sundimin e ligjit dhe sektorin e gjyqësorit si dhe mbështetjen tonë për pavarësinë dhe misionin e institucioneve të tilla si SPAK, të cilin, siç e dini e mbështesim fort, dhe duam të shohim ta vazhdojnë punën e tyre. Për këtë arsye si dhe disa arsye të tjera për të cilat do të flas pas pak, mendova se ishte e rëndësishme të vija në Shqipëri për t’i kryer këto diskutime.

Biseduam me zyrtarë të ndryshëm, përfshi Kryeministrin lidhur me udhëheqësinë e tij në procesin e reformave për në BE. Dhe lidhur me këtë, e përgëzova për përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të kryer ato reforma dhe rezultatet që ato kanë siguruar për Shqipërinë, përfshi hapjen e një grup-kapitulli të dytë, çka është vërtet e përgëzueshme.

Biseduam për reformat e sektorit të drejtësisë dhe rëndësinë që ka vazhdimi i tyre. Biseduam për partneritetin tonë në shumë fusha kudo në botë, përfshi në kontekstin e NATO-s, por sigurisht edhe për punën që bëjmë bashkë në një numër institucionesh shumëpalëshe si OKB-ja dhe se sa mirënjohëse janë Shtetet e Bashkuara që e kanë një partneritet të tillë me Shqipërinë.

Tek SPAK, u sigurova që të flisja për mbështetjen e vazhduar dhe shumë të fortë për punën e atij institucioni. Është për t’u theksuar se në takimet e mia publike dhe private, fola për rëndësinë që ka sundimi i ligjit dhe se asnjë burrë a grua nuk është mbi ligjin dhe se çështjet që ndjek SPAK do të arrijnë kudo ku çojnë provat dhe kjo është diçka që e mbështesim jo vetëm si proces, por edhe si një radhë faktesh në terren që ndihmojnë për të luftuar korrupsionin dhe çrrënjosur krimin e organizuar, një përpjekje që Shqipëria po e kalon dhe që e kanë kaluar edhe vende të tjera, përfshi vendin tim, dhe një përpjekje që duhet ta fitojmë dhe prandaj është me rëndësi ta shohim suksesin e SPAK-ut.

Pra, këto janë disa nga çështjet që diskutuam. E vlerësova vërtet të gjithë kohën që m’u dha nga zyrtarët me të cilët u takova. Pres me kënaqësi të kthehem.

Zëri i Amerikës: Ju dhe e përmendët se SHBA kanë qenë një mbështetëse e fortë e SPAK-ut. Por, duket se agjencitë e tjera ligjzbatuese janë ende duke u përballur me sfida. Si e vlerësoni sistemin aktual të drejtësisë në vend, 8 vite pas reformës në drejtësi?

Alexander Kasanof: Mendoj se siç e dini, Armand, është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojmë mbështetjen që po i japim qeverisë dhe institucioneve të pavarura si SPAK, por edhe të tjera, për të ecur përpara me punën për reformimin e sektorit të drejtësisë dhe përmirësimit të sundimit të ligjit. Është sfidë e vështirë. Dhe është sfidë e vështirë për çdo vend. Dhe është një sfidë për të cilën nevojitet mbështetja jonë e vazhdueshme. Pra, është punë e papërfunduar. Sigurisht, kjo vihet në dukje edhe nga disa prej reformave që BE ka nënvizuar se duhet të kryhen këtu. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë kudo ku mundemi, si qeverinë dhe paketat e saj të reformave, por edhe institucionet e pavarura që të mbeten të pavarura dhe të ndërmarrin masat e duhura për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat, siç e përmenda më herët, janë një rezultat jashtëzakonisht i rëndësishëm që duam ta shohim të realizohet në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?

Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anulohet. A ekziston një mundësi e tillë?

Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.

Zëri i Amerikës: Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm. Disa nga shqetësimet kryesore në të kaluarën kanë qenë blerja e votave, shpërdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet dhe ndikimi i krimit të organizuar në këtë proces. A ndani dhe ju të njëjtat shqetësime dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

/Zëri i Amerikës