Partia Demokratike publikoi fakte të reja që sipas saj implikojnë në trafikun e kanabisit ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Enkelejd Alibeaj, duke iu referuar vendimit të plotë të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës dhe shefin e Antidrogës në këtë qytet, tha se ky aktivitet kriminal funksiononte me mbështetjen e Jaeld Çelës, i shpallur në kërkim. Sipas opozitës, dokumentet provojnë se Çela ka dekonspiruar operacionet e SHISH-it për llogari të bandës së Habilajve.
“Në vendimin e gjykatës thuhet se Jaeld Çela kishte komunikime telefonike me Artan Habilajn. Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habiljave dhe drejtuesve të Policisë së Vlorës provojnë se Policia e Shtetit jo vetëm ishte kthyer në roje të transportit të kanabisit drejt Italisë, por Jaeld Çela ka dekonsipruar operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të Habiljave, që vetë trafikantët në përgjime i quajnë “kusho të ministrit” dhe që “siguronin garanci për kanabisin”.
Demokratët thonë se ish-ministri i Brendshëm ka qenë garancia politike për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga banda e Habiljave. Sipas tyre, është e pakuptimtë që përballë dokumenteve e provave për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela ka kërkesë për arrest me burg, ndërsa për ministrin e Brendshëm që kontrollonte piramidën e këtij trafiku ka mbrojtje politike nga ana e Kryeministrit Rama.
Tv Klan