Fituesi i edicionit të kaluar të “X Factor Albania” Alis është rikthyer sonte në skenën që jo vetëm i dha triumfin, por e bëri të njohur për publikun shqiptar. Pasi performoi në skenë këngën e tij më të re “Mjegull”, ai shprehu mirënjohjen ndaj spektaklit që sipas tij është “shkollë që s’ka çmim për artistët e rinj”.
“Jam mëse i lumtur që m’u dha rasti të kthehem në këtë skenë që mua më lindi artistikisht. Ju falenderoj për punën e palodhshme”, tha Alis mes emocionesh.
Ndërsa për këngëtaren Arilena Ara, Alis që dikur ishte konkurrent në skuadrën e saj, sot është “kryefjala e muzikës shqiptare.”
“Unë ndihem jashtë mase krenare që Alisi, që nuk kam gabuar, ka qenë zëri që kam dashur që të më përfaqësonte mua si mentore, është kryefjala e muzikës shqiptare sot për sot. Është e tashmja dhe e ardhmja”, u shpreh ajo.
Alis dhe Arilena Ara kanë realizuar sëbashku këtë vit këngën “Se të dua”, që është pritur mjaft mirë nga publiku.
/tvklan.al