Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale e cilëson me rëndësi kritike një opozitë të shëndetshme. Ky qëndrim i diplomatës amerikane Nancy Varnhorn vjen pas një sërë takimesh me përfaqësues të kampit të djathtë

“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë.”

Diplomatja Varnhorn përsëriti edhe njëherë qendrimin e Shteteve të Bashkuara se nuk angazhohen me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.

Klan News ka mësuar se e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në shqipëri ka pasur takime me një grup deputetësh të PD, Jorida Tabakun, Tomor Alizotin, Oerd Bylykbashin, Helidon Bushatin e Kreshnik Çollakun.

Mësohet se ata i kanë shprehur shqetësimet e tyre për përfshirjen e administratës dhe krimit të akuzuar në zgjedhje. Po ashtu theksuan kërkesën e Partisë Demokratike për formimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve të 11 Majit.

Klan News