Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka zbardhur takimin e Kryeministrit të vendit, Edi Rama, me Ndihmës Sekretarin Todd Robinson.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ambasada e SHBA-së shkruan se takimi është realizuar për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Më tej, thuhet se në takim u diskutua dhe mbi rëndësinë kritike të forcimit të Shtetit të së Drejtës, rëndësinë e një Gjyqësori të pavaruar dhe çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi.

“Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me Kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi mbi rëndësinë kritike të forcimit të Shtetit të së Drejtës, rëndësinë e një Gjyqësori të pavarur dhe çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.

Robinson zhvilloi një vizitë edhe në Prokurorinë e Posaçme ku takoi kreun e saj, Altin Dumani ku zyrtari i lartë amerikan tha se SHBA mbështet integrimin në BE përmes sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së transparencës gjyqësore. Zyrtari i lartë amerikan takoi edhe kryeministrin Rama si dhe ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe atë të drejtësisë Ulsi Manja./tvklan.al