Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, u ka bërë thirrje partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës.
Përmes disa shkrimeve në rrjetin social Twitter, Delawie ka shprehur edhe habinë e tij me veprimet e disa deputetëve që janë pozicionuar kundër Demarkacionit.
“E çuditshme se sa shumë po punojnë disa njerëz për t’i mbajtur qytetarët e Kosovës larg udhëtimit në Evropë!”, ka shkruar ambasadori amerikan, në rrjetin social, në internet.
Ndërkaq në një postim tjetër, ai ka shkruar, “hajde”, duke inkurajuar deputetët që të enjten ta votojnë Demarkacionin.
“Qytetarët kanë pritur shumë gjatë për liberalizimin e vizave, është koha që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit. Hajde!”, ka shkruar Delawie./REL