Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në përfundim të misionit të tij në Shqipëri, shefi i OSBE-së Osmo Lipponen ka deklaruar, se Shqipëria ende nuk ka mundur që të kapërcejë momentin kur zgjedhjet përbëjnë fokusin kryesor të vëmendjes dhe burim për tensione politike, veçanërisht kur ka pasur një përparim të dukshëm në zhvillimin institucional në fusha të tjera në vend.

Me afrimin e shpejtë të zgjedhjeve parlamentare kambana paralajmëruese ka rënë tashmë, pikërisht nga Bashkimi Europian në deklaratën e tij të kohëve të fundit, të cilën dhe prezenca e ka mbështetur fuqimisht, tha Lipponen.

Në konferencën për shtyp lidhur me raportin e fundit të prezencës, e cila do t’i paraqitet të enjten këshillit të përhershëm të OSBE-së në Vjen, Lipponen deklaroi, se çështja e reformës zgjedhore, nuk qëndron në të vërtetë tek propozimet ligjore apo teknike që bëhen. Kjo është një çështje e vullnetit politik të politikanëve të Shqipërisë, për të zhvilluar zgjedhje demokratike sipas standardeve ndërkombëtare.

Pa vendosur gishtin ndaj asnjërës forcë politike, meqenëse procesi vazhdon tha ai,  ka shpresa për një rezultat pozitiv, jam habitur se shumë politikanë nuk e njohin ende protokollin e firmosur. Në të nënvizohet se çështja numër 1 është KQZ dhe së dyti listat e zgjedhësve. Ambasadori i OSBE-së theksoi, se përgjegjësia për zgjedhjet e ardhshme parlamentare qëndron vetëm tek partitë politike dhe jo tek asistenca e OSBE-ODIHR.

Përpara largimit Osmo Lipponen tha, se Shqipëria mund të ketë trazira politike. Kjo do të ndodh nëse do të kontestohen zgjedhjet e ardhshme./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj