Ambasadori i ri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriç ka thënë se beson se do të zbatohet marrëveshja e Washingtonit dhe bashkëpunimin e mirë me administratën e re amerikane në gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën.
“Unë besoj se është një fillim i ri për Amerikën dhe një mundësi e re gjithashtu për ne, dhe se shumë varet nga sa do të punojmë dhe sa do të përpiqemi”, është shprehur ai.
Sipas tij, ekipi i ri i ambasadorëve serbë në Washington synon të punojë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për të përhapur imazhin dhe të rrisë rëndësinë e Serbisë.
Më tej Gjuriç tha se Serbia në SHBA ka nevojë për një kongresmen siç ka Kosova Eliot Engelin, që është një mik i madh i tyre.
“Qëllimi i Serbisë në periudhën e ardhshme është që të ketë një Eliot Engel midis kongresistëve, senatorëve , politikanëve të shquar amerikanë ”, tha ai.
Marko Gjuriç pak ditë më parë mori detyrën si ambasador i Serbisë në SHBA. Më herët ai ka qenë drjetor i zyrës për Kosovën në Serbi./tvklan.al