Eliot Engel, një prej miqve më të mëdhenj të shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes së Kosovës është larguar nga Kongresi amerikan pas më shumë se 32 vitesh anëtar i saj.
Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se do të jetë përherë mirënjohës ndaj Engel, për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
“Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike”, shkruan Meta.
Presidenti thotë se Engel ka spikatur si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor.
“Jam i bindur se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkruan Meta.
Engel në fjalimin e tij të fundit në Kongres preku edhe Ballkanin dhe Kosovën, për të cilën tha se ka një vend të veçantë në zemrën e tij./tvklan.al