Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Marko Gjuriç ka dënuar ashpër sulmin në kanalin Ibër-Lepenac afër Zubin Potokut.

Sipas tij Albin Kurti, nxitoi të drejtojë gishtin nga Beogradi pa patur prova.

Në një postim në rrjetin X , Gjuriç u bëri thirrje autoriteteve përkatëse ndërkombëtare që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent me qëllim identifikimin dhe vënien në përgjegjësi të përgjegjësve për këtë akt.

Kryediplomati serb vlerëson se akuza të tilla të pabaza minojnë përpjekjet për një dialog konstruktiv dhe shërbejnë vetëm për përshkallëzimin e tensioneve në këtë situatë delikate.

Gjuriç tha se Beogradi është i gatshëm, nëse është e nevojshme, që të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve në kanalin Ibër-Lepenac , “duke treguar përkushtim për mirëqenien e të gjithë njerëzve që jetojnë aty pavarësisht nga përkatësisë etnike apo politike”.

Ai vuri në dukje se ky akt thellësisht shqetësues sabotimi kërcënon jetesën e qytetarëve sepse ky tubacion uji është i nevojshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe bujqësinë.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit si bazë për një të ardhme të begatë dhe të bashkuar në Ballkan”, thekson Gjuriç në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ky akt sabotimi ka gjetur pasqyrim në shumë media ndërkombëtare.

Klan News