Në një dalje të pazakontë ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka shprehur shqetësimin e SHBA-ve siç u shpreh ai për projektligjin e ri që synon amendimin e ligjit ekzistues për shërbimin informativ shtetëror.
Ambasadori Withers ka deklaruar se ky draft tenton të cenojë pavarësinë e SHISH, por në asnjë moment ai nuk ka pranuar të japë detaje se në cilat nga pikat e tij projektligji i mazhorancës synon të bëjë një gjë të tillë.
John Withers: “Është jetike për Shqipërinë që SHISH të mbetet profesional dhe i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky ligj minon këto parime. Për më tepër ky projektligj u jep përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të cilat janë shqetësuese.”
Withers ka sugjeruar se përpara se drafti të marrë miratimin e parlamentit shqiptar të bëhet një konsultim me ekspertë ndërkombëtar të cilët mund ti japin sugjerimet e tyre për përsosjen e ligjit.
John Withers: “Ne druhemi se ky projektligj në formën aktuale po e dëmton këtë imazh dhe ne po e shikojmë këtë çështje me shumë seriozitet. Ne nxisim me forcë që ekspertë ndërkombëtar ligjor të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të plotë të këtij projektligji përpara se parlamenti të ndërmarrë veprime të mëtejshme. Është imperative që një projekt legjislacioni i tillë të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilat gjithashtu duhet përputhen me detyrimet euroatlantike të Shqipërisë.”
Vetë mazhoranca në përgjigje të debatit të hapur për projektligjin në fjalë është shprehur se ky draft është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndërsa vetë kreu i SHISH pas diskutimit të projektligjit në komisionin parlamentar të ligjeve u shpreh se amendimet e ligjit vijnë në përgjigje të kushteve të reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa shtoi se janë njëkohësisht dhe domosdoshmëri e vendit tonë si vend anëtar i NATO-s./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka