Më intereson të informohem si për situatën politike ashtu dhe për situatën ekonomike të Korçës. Kështu është shprehur gjatë takimeve të zhvilluara dje në Korçë, ambasadori amerikan Limpreht. Shkak i këtij udhëtimi ika shërbyer përurimi i guidës “Korça, porta e Shqipërisë” e financuar nga Ambasada Amerikane dhe financuar nga një grup intelektualësh korçarë.
Ambasadori Limpreht ka zhvilluar një sërë takimesh. Në bashkëbisedimin me kryetarin e bashkisë Gjergji Duro, ai ka shfaqur interes për investimet e vitit 2001, për mungesën e këshilltarëve demokratë në këshillin bashkial, për resurset ekonomikë që disponon Korça, strehimin, nivelin e varfërisë e të tjerë.
Në takimin me ambasadorin amerikan, kryetari i degës së PD-së Fredi Holli, ka përsëritur pretendimin se në Korçë gjatë zgjedhjeve lokale ka patur shumë manipulime. Ai ka kërkuar dhe zhvilluar bisedime pa praninë e gazetarëve. Reformatorët lokalë të Partisë Demokratike të reformuar në takim me Limpreht, kanë paraqitur ambicien e tyre për të qenë njëzëri në politikën shqiptare.
Në fund Limpreht ka zhvilluar dhe bashkëbisedimin me Prefektin Ben Blushi. Prefekti e ka quajtur takimin të frytshëm dhe me informacion të ndërsjelltë. Ndërsa Ambasadori Amerikan, njohjen me situatën ekonomike dhe politike të Korçës e ka quajtur si të rëndësishëm si informacion që do t’ja përcjellë Shtëpisë së Bardhë./tvklan.al
Gazetare: Mirela Milori