Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Gjysma e kabinetit qeveritar ka marrë pjesë sot në inagurimin e ambjenteve të reja të Gazetës “Zëri i Popullit”. Vetë Kryeministri Pandeli Majko së bashku me Namik Doklen, si ish-kryeredaktori i kësaj gazete, i kane uruar Gëzuar ambjentet e reja gazetarëve. Autografe nga Majko, Ulqini e Lakrori. 18 gazetarë të kësaj gazete kanë shijuar ambjentet e reja.
“Zëri i Popullit” do të shtohet dhe zgjerohet si qendër informacioni, një Radio dhe Televizion pasi të ketë dalë ligji për ta. Për disa ka rënë në sy mungesa e Fatos Nanos. Erion Braçe, kryeredaktor i Gazetes “Zëri i Popullit” komenton dhe justifikon ftesat. Ish-Kryetari Nano nuk ka qenë i lidhur me median, thotë ai.
Erion Braçe, Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”:- Siç e patë dhe ju këtu ishte Sekretari i Përgjithshëm i Partisë njëherësh dhe Kryeministër, ishte Nënkryetari i Parlamentit njëherësh dhe anëtar i kryesisë, ishte Ministri i Informacionit që ka lidhje me median. Së fundi ishte dhe zoti Jupe që është sekretar i Komisionit Parlamentar të medias. Puna ishte që ambienti ishte akoma dhe më i gjerë dhe s’ishte puna duhet të ishin ftuar ish-kryetarët, ish-sekretarët, ish-nënkryetarët e partisë apo ish ata që kanë qenë në parti. Këtu u ftuan ata njerëz që kishin lidhje me median”.
Gazetarja:- Por mos vërtetojnë akuzat tuaja për mbrojtje të krahut Majko-Meta dhe kundërvënie Nano?
Erion Braçe, Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”:- “Absolutisht. Të gjithë e kanë pasur gazetën e hapur të shkruajnë çfarë kanë dëshiruar dhe të shprehin obsionet e tyre”.
Gazetarja:- Ju jeni organ i Partisë Socialiste apo i Qeverisë Socialiste?
Erion Braçe, Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”:- “Ne jemi gazetë e Partisë Socialiste të Shqipërisë”.
Gazetari:- Në qoftë se PS ka nje ish-kryetar, s’e meritonte ai të ishte sot?
Erion Braçe, Kryeredaktor i “Zërit të Popullit”:- “Në qoftë se ish-kryetari ka qenë i lidhur me median, qoftë edhe me median e pavarur, mund të vinte. Absolutisht asnjëri nuk ka patur ftesë. Kanë ardhur vetëm ata që kanë lidhje me gazetën”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti