Me urdhër të Gjykatës, AMP ka vënë në pranga dy persona. Janë arrestuar kryeplaku i fshatit Pepsumaj në Vaun e Dejës dhe djali i tij 31 vjeçar, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike. Bëhet fjalë për Ndue dhe Mark Fiku.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ekzekutoi urdhrin e prokurorit mbi vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në bazë të hetimeve të thelluara nga AMP-ja, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, në funksion të hetimit të procedimit penal të vitit 2023, regjistruar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Sa më sipër, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të përfshirjes në këtë aktivitet kriminal të kultivimit të bimëve narkotike nga shtetasit: N. F., 70 vjeç, me detyrë Kryeplak i zonës Pepsumaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike“ dhe “Shpërdorimit të detyrës“, M. F., 31 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” në bashkëpunim”, njofton AMP./tvklan.al