Ish-futbollisti Gentian Muça, në Klan News, analizoi ecurinë e skuadrave në kampionatin shqiptar, deri në javën e 11-të.

Sipas tij, ekipet janë me “marsh të ulët”, ndërsa theksoi se rikthimi i trajnerit Ilir Daja te Dinamo, është gjë e mirë për kampionatin shqiptar.

“Kampionatin e ndjek, sepse futbolli vendas merr vëmendje maksimale. Kampinati ka nisur me marsh të ulët nga të gjitha skuadrat. Kemi skuadra të reja, që kanë ardhur nga Katergoria e Parë, si Elbasani që është me tjetër marsh. Kemi skuadra me shumë ndryshime, si Tirana po ashtu edhe Partizani e Vllaznia. Bylis ka dhënë shkëndijën e parë me trajnerin Dede, apo edhe Dinamo me trajnerin Daja. Rikthimi i Dajës, është padyshim një gjë e mirë për kampionatin tonë.”

Muça deklaroi se Partizani u shfaq si pretendent kryesor me fitoren ndaj Skënderbeut. Sipas tij, të kuqtë e kryeqytetit kanë qenë cinikë, ndryshe nga Tirana, për të cilën tha se do të flitej ndryshe nëse nuk do të ishin ato barazime në fund.

“Partizani për mënyrën si ka luajtur, ka marrë maksimumin dhe është treguar cinike, ndryshe nga Tirana. Pa ato barazime të minutave të fundit, do flisnim ndryshe dhe nuk do të ishte në këto situata. Vllaznia fiton në momente kryesore, por lë pikë me skuadra të tjera. Jo të gjitha skuadrat kanë vazhdimësi. Me fitoren e fundit, Partizani u shfaq pretendent kryesor. Prisja më shumë nga Egnatia në këtë situatë të kampionatit. Afrimet kanë qenë më cilësore se ato që u larguan, por shumë larg pritshmërive”, deklaroi Muça. /tvklan.al