Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur analizën për punën vjetore të çdo gjykate në vend. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ishte e para e cila u mblodh në shqyrtimin e punës së saj, ku u diskutua kryesisht mbi problemin e madh të drejtësisë shqiptare, atë të zvarritjeve të proceseve gjyqësore.
Bujar Nishani: “Ne po trajtojmë me të gjithë aktorët e tjerë mundësinë e reduktimit të hapësirave abuzuese për shtyrjen e seancës gjyqësore, qoftë nga avokatët apo nga palë të tjera të interesuara, dhe kurrsesi nuk do të pranojmë që një seancë të dështojë apo të shtyhet për shkak të mos angazhimit apo dështimit të performancës, administratës gjyqësore. Miratimi dhe fillimi i funksionimit të Gjykatës Administrative, do të lehtësojë maksimalisht gjykatat e rrethit gjyqësor, por edhe gjykatat e apelit”.
Por koha e mbylljes së një çështje gjyqësore mbetet një problem kryesor sikundër tha kreu i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli.
Artan Zeneli: “Duke parë ndër vite rezultoi se është viti i parë që nga viti 2000, që në periudhën 0 deri në 2 muaj, përfundojnë vetëm 766 çështje, ndërkohë që në vite rezulton që kjo vlerë është trefish më e lartë. Do të rendis ngarkesën e jashtëzakonshme të secilit gjyqtar. Nuk ka mundësi efektive që gjykimi të mbarojë shpejt. Për një gjyqtar tashmë është bërë normale ne thonjëza, që të parashikojë në ditë 7 deri në 8 çështje”.
Sakaq nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, duke e parë si të qenësishme rolin e gjykatave në integrimin e Shqipërisë në BE, kërkoi plotësimin e disa kërkesave për funksionimin normal të drejtësisë.
Kreshnik Spahiu: “Së pari nevoja për një infrastrukturë më të mirë, së dyti nevoja për një pagesë, pra për një rrogë më të lartë. së treti nevoja për më shumë mbrojtje fizike të gjyqtarit”.
Në analizën vjetore ndër të tjera u kritikua edhe puna e prokurorisë, e cila sipas gjyqtarëve nuk realizon në kohë ekzekutimin e vendimeve të gjykatës si një detyrim të sajin. Sakaq kritika të ashpra ju adresuan edhe Gjykatës së Tiranës.
Sipas Spahiut ky institucion është më i varfëri jo vetëm në Shqipëri dhe në Evropë, por edhe në shukë vende të Afrikës së Veriut dhe Amerikës Latine, edhe pse ka arkëtuar më shumë se të gjitha gjykatat e tjera të vendit./tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi