Në takimin me Ndihmës Sekretarin Amerikan për Narkotikët dhe Sundimin e Ligjit, Todd D. Robinson, Presidentja Osmani ka deklaruar se pa ndihmën e SHBA-se, anëtarësimi i Kosovës në Interpol është i pamundur. Të vetmit sipas Osmanit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët. Në anën tjetër Robinson, ka deklaruar se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura solide të gjyqësorit.
“Fakti që jam këtu dëshmon mbështetjen tonë për atë që ju po bëni, për atë që policia po bën, për atë që shërbimet e sigurisë këtu po bëjnë për qytetarët e thjeshtë kosovarë. Unë mendoj se me të vërtetë është e rëndësishme. Porosia ime për ta dhe për ju të gjithë do të ishte që Shtetet e Bashkuara janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura solide të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot dhe për një Kosovë më të fortë dhe transparente në të ardhmen. Nuk është hera e parë që jam në Ballkanin Perëndimor. Unë kam punuar për një kohë të gjatë më parë në këtë rajon ndaj më duket sikur jam kthyer në shtëpi dhe kam mundësinë për të takuar kolegët si në qeveri dhe në sistemin e drejtësisë”, tha Robinson.
Partneriteti mes Kosovës dhe SHBA-së është cenuar së tepërmi nga hezitimi i qeverisë Kurti për të mos zbatuar këshillat e Uashingtonit për themelimin pa vonesë të bashkësisë së komunave serbe si dhe vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit serb. Vetë Robinson e shmangu për këto arsye takimin me kryeministrin Kurti gjatë qëndrimit në Prishtinë.
Klan News