Anglia shkoi në finale e Europianit duke fituar me përmbysje ndaj Holandës. Ekipi i Gareth Southgate nuk e pati të lehtë, por arriti të tregonte versionin më të mirë për të arritur në ndeshjen e fundit të Europianit për herë të dytë radhazi. Ishte një nisje e vështirë për ishullorët që e gjetën veten në disavantazh që në minutën e 7 pasi Xavi Simons realizoi për tulipanët.
Nuk zgjati shumë dhe erdhi barazimi i anglezëve me 11-metërshin e fituar nga Harry Kane. Kapiteni shkoi vetë tek pika e penalltisë për të shënuar golin e barazimit.
Asnjë prej skuadrave nuk u pajtua me këtë rezultat me raste dhe aksione nga të dy krahët. Teksa vinte fundi i kohës së rregullt, Southgate bëri zëvendësime dhe largoi Kane duke i dhënë mundësinë Olie Watkins. Ishte minuta e 81.
Sulmuesi i Aston Villa u fut shpejt në ritmin e lojës duke bërë edhe ndryshimin në minutën e 91. Anglia do të luajë kundër Spanjës në finale e së dielës që do të mbahet në Olimpiastadion të Berlinit dhe do të transmetohet në Tv Klan.
Tv Klan