15 persona të vdekur, 3 të zhdukur dhe të lënduar është bilanci zyrtar i tragjedisë që ndodhi sot në liqenin e Ohrit, kur një anije me 74 persona në bord është fundosur në ujërat territoriale të Maqedonisë.

Bilanci i personave të vdekur nuk është përfundimtar pasi akoma nuk dihet fati i personave të zhdukur.

Po ashtu në mesin e të lënduarve ka persona në gjendje kritike shëndetësore. Në anijen Ilindjen kanë qenë 62 turistë bullgarë dhe supozohet se numri më i madh i viktimave janë turistë nga Bullgaria.

Fatkeqësia ka ndodhur në orët e paradites. Anija është fundosur 200 deri 300 metra larg bregut të liqenit. Fundosja e tij kanë filluar në orën 10:30 dhe në tërësi është fundosur për 7 minuta.

Dëshmitarët me emocione tregojnë për pamjet tragjike.

“Ishim me barkë duke u parkuar në Eleshec. Dëgjuam thirrje për ndihmë dhe sapo u kthyem pamë njerëz që notonin mbi ujë. U nisëm në drejtim të anijes së fundosur, e cila nuk ishte larg bregut. Së paku 10 persona veç më ishin të vdekur. Në barkën tonë morëm 11 persona, 7 i nxorëm të gjallë, kurse katër të tjerë edhe përkundër ndihmës që u ofruam ndërruan jetë. Nuk pamë fëmijë në mesin e tyre.”

Pas marrjes së informatës për ngjarjen tragjike në Ohër kanë udhëtuar përfaqësues të kreut shtetëror të Maqedonisë duke përfshirë edhe presidentin George Ivanov dhe kryeministrin Nikola Gruevski.

“Anija është fundosur në thellësi prej 6 metrave. Njësitë e policisë, ushtrisë dhe shpëtues janë të kyçur në aksion për nxjerrjen e kufomave. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që në kohë sa më të shpejtë ta kontrollojmë terrenin.”

Ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakieski, ka dhënë dorëheqjen për shkaqe morale.

Anija Ilinden ka qenë e prodhuar në vitin 1924 në Regensburg të Gjermanisë. Kjo anije ka poseduar leje për transport të 43 personave.

Nesër në Maqedoni pritet të shpallet ditë zie për viktimat e kësaj tragjedie. Nga Ohri për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu