Liqeni i Ohrit është ndër më të vjetrit në Europë, me një biodiversitet të larmishëm dhe habitat natyror për gati 200 specie endemike. Ai shërben si një atraksion i rëndësishëm turistik dhe burim të ardhurash për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Megjithatë, liqeni është në rrezik nga ndotja, peshkimi i tepërt dhe zhvillimi urban. Ana e Maqedonisë së Veriut e Liqenit të Ohrit u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore në vitin 1979. Falë vlerave unike natyrore dhe kulturore, edhe pjesa shqiptare e liqenit iu bashkua listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2019.
Në raportin e saj të vitit 2024 në fillim të këtij viti, UNESCO paralajmëroi për ndotjen dhe efektet e turizmit masiv.
“Disa kërkime tregojnë se situata në liqen po përkeqësohet në mënyrë të pakthyeshme, kryesisht për shkak të hyrjes së lëndëve të ndryshme ushqyese nga burime të ndryshme, duke përfshirë ujërat e zeza. Nga ana tjetër, turizmi, veçanërisht turizmi masiv, po ndikon negativisht.”
Zlatko Lefkov thotë se situata në liqen po përkeqësohet, duke dëmtuar speciet vendase dhe biodiversitetin e liqenit.
“Vëzhgimi parësor është i dukshëm përmes transformimit të botës së gjallë, e cila ka një rëndësi të madhe. Kimia mund të mos ketë aq rëndësi sa biologjia në liqen. Kur një specie që më parë ishte e vogël në numër ose mungonte bëhet e bollshme në një liqen, ajo mund të shumohet duke dëmtuar habitatin natyror të specieve biologjikisht të rëndësishme.”
Autoritetet lokale thonë se investimet në sistemin e ujërave të zeza, të ndërtuara në vitet 1980, nevojiten pasi liqeni nuk mund të përballojë më shumë turistë, të cilët dynden në liqen si një alternativë më e lirë ndaj detit.
“Kapaciteti i sistemit të ujrave të zeza, i ndërtuar në vitet 1980, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat aktuale të rajonit, duke përfshirë Liqenin e Ohrit dhe qytetin, pasi ai fillimisht ishte projektuar për një numër të caktuar njerzish që i përshtatej aty viteve. Ne e pranojmë se urbanizimi i shpejtë po ndodh brenda qytetit dhe komunës së Ohrit, së bashku me kapacitetin e pamjaftueshëm për të menaxhuar të gjitha ujërat e zeza.”
Orhidea Tasevska, menaxhere në institutin hidrobiologjik në Ohër thotë se nevojiten masa urgjente.
“Rrjedhimisht, dëshiroj të theksoj domosdoshmërinë e identifikimit të zgjidhjeve më të përshtatshme për rehabilitimin e sistemit të ujrave të zeza, si dhe për ndërtimin e impianteve të reja të trajtimit, duke qenë se tashmë janë hartuar projekte paraprake në bashkëpunim me një kompani spanjolle. Megjithatë, shteti duhet tani të sigurojë fonde për zbatimin e atyre projekteve paraprake.”
Ambientalistët paralajmërojnë gjithashtu se lumenjtë që derdhen në Liqenin e Ohrit janë gjithashtu një burim i vazhdueshëm ndotjeje.
“Gjatë viteve, nivelet e ndotjes kanë ndryshuar, megjithatë, burimet e vazhdueshme të ndotjes mbeten, veçanërisht lumenjtë që derdhen në Liqenin e Ohrit, duke përfshirë lumenjtë Sateska, Koselska, Daljani dhe Grashnica, së bashku me disa degë më të vogla.”
Klan News