Anila Godo me shumë gjasa do të jetë ministrja e re e shëndetësisë.

Pas një mbledhje 60 minutëshe të kryesisë së republikanëve këta të fundit rreth orës 14:00 i kanë dorëzuar kryeministrit Berisha kandidaturën e zonjës Anila Godo për t’u ripërfaqësuar në kabinetin qeveritar.

Në kryesinë e republikanëve janë diskutuar mbi katër sektorë të mundshëm ku ata mund të merrnin një portofol ministror, por duket se tendenca e anëtarëve të kryesisë ka qenë sektori i shëndetësisë dhe pikërisht mjekja Anila Godo është votuar unanimisht për pozicionin e Ministres së Shëndetësisë.

Shefja e shërbimit onkohematologjik në pavijonin e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza prej 11 vjetësh, Godo është emri që duket se do të zëvendësojë Ministrin aktual të Shëndetësisë, Nard Ndoka, duke u bërë kështu dhe e para ministre shëndetësie në të gjithë historikun e qeverive shqiptare nga viti 1944 deri më sot.

Ne me kamerën tonë kemi qenë në ambientet e spitalit pediatrik dhe kemi mundur të takojmë zonjën Godo, e cila me modesti ka shmangur të gjitha komentet për kandidaturën e saj si ministre, por kemi arritur të flasim me koleget e saj, të cilat e shohin profesoren e asociuar si një menaxhere shumë të mirë për të ndryshuar situatën e rëndë të krijuar në sektorin e shëndetësisë në këto vitet e fundit.

Luljeta Serbo: “Në periudhën që Anila ka drejtuar departamentin tonë në departamentin tonë kanë ndodhur ndryshime cilësore në…”.

Luljeta Mati: “Më duket një kandidaturë shumë shumë e përshtatshme, shumë e mirë”.

Drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë nga një njeri që del nga gjiri i tyre është shumë pozitiv për mjekët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Luljeta Serbo: “Një nga dobësitë e gjithë punës në këtë periudhë ka qenë fakti që drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, por dhe QSUT-së nuk ka qenë nga një specialist.”

Kjo është ecuria e karrierës së Anila Godos. Menjëherë pas diplomimit në 1980-tën për mjekësi të përgjithshme Godo është vendosur në departamentin e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si mjeke.

Nga viti ’90 e në vazhdim ajo është pedagoge në fakultetin e mjekësisë, ndërsa nga viti 1997 deri në vitin 2002 ka drejtuar departamentin e pediatrisë.

Për pesë vjet ajo ka qenë zv/dekane në fakultetin e mjekësisë, ndërsa për katër vjet radhë ka drejtuar shoqatën pediatrike shqiptare.

Ka specializime të shumta në shtete të ndryshme të Evropës, por dhe në Amerikë, mban gradën e doktorit të shkencave, titullin akademik profesor i asociuar dhe aktualisht dosja e saj është nën shqyrtim për titullin profesor.

Pas propozimit zyrtar të republikanëve pritet fjala e kryeministrit Berisha, i cili duhet të vendosë nëse zonja Godo do të jetë ministrja e re e shëndetësisë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka