Një grua nga Korça e cila jeton në Vlorë me familjen e saj, ka vuajtur nga një sëmundje që i ka prekur veshkën, që është e trashëguar nga e cila ka humbur edhe 3 vëllezërit e saj. Gruaja është operuar disa herë dhe tashmë spitali shtetëror nuk e merr më përsipër ta operojë.
Ndërhyrja në spitalin privat kushton 4 mijë e 500 euro. Gruaja thotë se nëse nuk operohet ajo do të vdesë, pengu janë tre fëmijët e saj. Ajo vjen në studion e “Historia ime” në Tv Klan të rrëfejë kalvarin e gjatë të dhimbjeve që kjo sëmundje i ka shkaktuar dhe bën apel për ndihmë…
Mirela Milori: Thua që ke shkuar në spitalin shtetëror dhe nuk të kanë marrë për sipër, pse?
46-vjeçarja: Ata thanë vetëm nëse firmos një i afërm apo familjari juaj, se ndryshe nuk të fusim në operacion sepse kemi frikë se ti ke bërë shumë ndërhyrje dhe nuk të marrim përsipër. Më thanë shko tek privati dhe shkova, më bënë skaner, eko dhe të gjitha dhe më thanë që duhet bërë operacioni sa më parë.
I thashë doktor më jepni garanci për jetën sepse nuk më kanë dhënë garanci në spitalin shtetëror. Më tha që me këto probleme që ke ti është pak problematike por ne do bëjmë një ndërhyrje që nuk do të ta çajmë veshkën siç ta kanë çarë në spitalin shtetëror, do bëjmë një ndërhyrje të vogël për të tërhequr gurin me sondë. Mua më prodhon veshka shumë shpesh gurë, pas 3 muaj pas operacionit më formohen prap gurë dhe tha do bëjmë një ndërhyrje që të eleminojmë prodhimin e shpejtë.
Mirela Milori: Sa kushton kjo ndërhyrje?
46-vjeçarja: Si fillim ata më thanë 4 mijë e 500 euro. Unë e kam bërë vizitën që në 17 Korrik të 2020 dhe sot unë akoma nuk i kam bërë ato lekë. Unë jetoj veç me 200 mijë lekë të burrit.
Gruaja ka treguar se jetojnë me qira dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Ajo ka dhimbje të tmerrshme sa detyrohet të pijë dhe morfinë. Nuk ka arritur t’i mbledhë lekët dhe të afërmit e saj nuk mund ta ndihmojnë më sepse e kanë ndihmuar gjatë 4 operacioneve të tjera që ka kryer më përpara. Ajo ka një mbështetje të madhe nga burri dhe fëmijët dhe për këtë gjë ndihet me fat, por kushtet e vështira ekonomike e pengojnë atë të kryejë operacionin që do i shpëtojë jetën. /tvklan.al