Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj inspektuan zyrat e aplikimit për pasaporta dhe karta ID, në Njësinë 1 dhe 2 në Tiranë. Voda u shpreh se zyrat e reja kanë krijuar kushte më të mira që shmang radhët dhe shpejton aplikimin.
“Jemi në zyrat e aplikimit për kartat ID dhe pasaporta biometrike të Njësive 1 dhe 2 këtu në Tiranë. Janë zyra të reja, të inauguruara disa kohë më parë edhe nga Kryetari i Bashkisë, të hapura në bashkëpunim me ALEAT dhe Ministrinë e Brendshme, Shërbimin e Gjendjes Civile. Më vjen mirë sot teksa shoh që kemi një fluks qytetarësh, të cilën vijnë dhe aplikojnë kryesisht për karta identiteti. Mjafton t’iu them që kushtet, siç e shikoni edhe vetë janë shumë të mira, shërbimi është shumë cilësor dhe aplikimi për kartë nuk zgjat veçse 3 minuta. Pra edhe ofrimi i shërbimit është shumë i shpejtë”, tha zv.ministrja.
Duke renditur përfitimet e dokumentit të ri, Voda ftoi çdo qytetar të shfrytëzojë këto javë për rinovimin e kartave që u mbaron vlefshmëria, para kthimit të emigrantëve për pushime.
“Një thirrje unë do të kisha për të gjithë qytetarët e Tiranës, por jo vetëm, edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë: Ju lutem, ejani dhe aplikoni në zyrat e reja të hapura nga ALEAT në bashkëpunim me bashkitë në vendbanimet tuaja, pasi shërbimi është tepër cilësor! Ju do ta merrni atë në një kohë rekord. Keni punonjësin e Shërbimit të Gjendjes Civile pranë për çfarëdo lloj problematike, kartat e reja kanë elemente sigurie më shumë, ato nevojiten për të përfituar shërbimet si në institucionet publike, ashtu edhe në ato jopublike. Por mos të harrojmë që kemi edhe një proces zgjedhor përpara, pavarësisht shtyrjes së afatit me vendimin e Qeverisë.
Aplikimi për karta të reja sigurisht që është një vlerë e shtuar, por do të shmangë edhe përplasjen që do të kemi ndoshta edhe me fluksin e madh gjatë sezonit veror për shkak të emigrantëve që do të vijnë, studentëve që kthehen, por edhe aplikimit që do të fillojë për pasaportat biometrike”, apeloi Voda./tvklan.al