Arabia Saudite duket e vendosur për të ndryshuar imazhin e saj në botë. Përveç shumë projektesh që kanë nisur atje, e Kupës së Botës që do të mbahet në 2034-ën, sauditët duan të ndryshojnë edhe himnin.

E për këtë kanë gjetur një kompozitor shumë të njohur. Bëhet fjalë për Hans Zimmer, i cili ka fituar edhe çmime Oscar për kompozimet e tij. Mes filmave ku dëgjohen meloditë e tij janë Mbreti Luan i vitit 1994, filmat Dune, Interstellar, Inception e triologjia e Batman, Dark Knight.

Kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit, Turki Alalshikh është shprehur se Zimmer, ka rënë dakord në “vija të trasha” për projektin.

“Kemi diskutuar shumë për projekte të së ardhshme që shpresojmë të shohin dritën e diellit së shpejti, duke përfshirë edhe rregullimin e himnit kombëtar saudit me instrumente të ndryshme”, tha Alalshikh.

Sipas tij, Zimmer ka diskutuar edhe për një muzikal të quajtur Arabia, një koncert shumë të madh dhe një kolonë zanore për Betejën e Yarmouk, një film që do të realizohet në të ardhmen.

Sa i përket himnit të Arabisë Saudite, të quajtur “Jetë të gjatë Mbretit”, u shkruajt në 1947-ën nga një kompozitor egjiptian me kërkesë të Mbretit Abdulaziz.

Kjo lëvizje vjen pasi Arabia Saudite, eksportuesi më i madh në botë i naftës dhe shtëpia e vendeve të shenjta të fesë islame, po ndjek ambiciet e saj për t’u rindërtuar teksa përpiqet të diversifikojë ekonominë e saj larg naftës së papërpunuar.

Pasi rihapi kinematë, lejoi femrat të merrnin patenta, pranoi turistët e parë jo myslimanë në vitin 2018, ndryshimi ka përfshirë disa projekte në shkallë të gjerë si resortet dhe NEOM, një qytet futurist në shkretëtirë që kushton 500 miliardë dollarë. /tvklan.al