Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, deklaroi se KQZ ka marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor të suksesshëm dhe transparent.

Në ceremoninë simbolike të akreditimit të 5 mijë vëzhguesve Ristani tha se qëllimi i një numri të madh vëzhguesish është besueshmëria dhe transparenca në proces.

Arben Ristani: “Ne jemi përpjekur dhe po përpiqemi dhe të shpresojmë t’ia dalim mbanë që të kemi një proces zgjedhor të besueshëm për të gjitha palët. Për të bërë të mundur këtë është jo vetëm vëzhgimi fizik që ju mund të realizoni, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve punon online, punon nën vëzhgimin e kamerave dhe mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve transmetohen direkt në faqen tonë të internetit. Kemi marrë të gjitha masat që të kemi në kohë të dhënat nga të gjitha vendet e numërimit të votave”.

Në ceremoni ishte i pranishëm dhe shefi i marrëdhënieve me publikun i ambasadës amerikane në Tiranë, Biks Aliu, i cili theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por duke rikujtuar dhe  rolin e veçantë që do të kenë vëzhguesit.

Biks Aliu: “Një zhvillimi i madh për Shqipërinë, një zhvillim i madh për organizatat jo qeveritare dhe për këta liderë që i keni këtu përpara që janë munduar dhe kanë punuar shumë që Shqipëria me të vërtet të ketë zgjedhje transparente, të lira dhe që iu përkasin standardeve ndërkombëtare”.

Vendi është ndarë në 12 qarqe në të cilat do të ngrihen 2800 qendra votimi. Votat do të numërohen në 66 qendra të numërimit të votave ku krahas kësaj do të monitorohen dhe nga kamerat vëzhguese./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani