Këshilli i Ministrave ka drekuar sot me banorët e prekur nga tërmeti të cilët janë strehuar në një prej hoteleve të Durrësit.
Këtë mundësi, ata e kanë shfrytëzuar edhe për të informuar banorët rreth procedurave të strehimit dhe për riparimin e banesave që nuk kanë pësuar dëme në strukturë.
I pranishëm në drekë ka qenë edhe Ardi Daullxhiu, i strehuar me familjen në këtë kompleks. Ai ka qenë në tavolinë me ministrin e Mjedisit Blendi Klosi. Ky i fundit i ka ofruar ndihmë për të rregulluar banesën nëse dëmet janë të rikuperueshme.
Ministri Blendi Klosi: Si mendon, si ta rregullojmë shtëpinë atje në Durrës? Si mund të të ndihmojmë të rregullosh shtëpinë?
Ardi Daullxhiu: Në dorën tuaj është…
Ministri Blendi Klosi: Po çfarë nevoje ke tek shtëpia? Ke parë problemet tek shtëpia?
Ardi Daullxhiu: Probleme ka sa të duash, krisje ka marrë…Kam frikë për gocën.
Ministri Blendi Klosi: Kjo historia e hoteleve do fillojë avash-avash të mbyllet, se hotelet do fillojnë me përgatitjet për sezonin tjetër që do të presin turistë edhe duhet që avash-avash të gjejmë sistemim tjetër. Por shtëpitë që kanë nevojë për pak rregullim, duhet t’i rregullojmë. Ata që u janë prishur shtëpitë fare, do marrin kredi nga Bashkia të shkojnë nëpër shtëpira me qira t’i paguajë Bashkia qiranë.
Ardi Daullxhiu: Ashtu në rregull…
Ministri Blendi Klosi: Kështu që ti duhet t’i gjesh problemet që ke tek shtëpia, të marrim ata të Bashkisë, do të ndihmoj dhe unë…
Ardi Daullxhiu: Po nuk na e varin o vëlla…s’na e var kush. S’na e var njeri.
Ministri Blendi Klosi: Duhet gjetur ndonjë divan, duhet gjetur ndonjë mobilim.
/tvklan.al