Ish-numri 1 i Policisë së Shtetit, tanimë zëvendësministri i Energjitikës, Ardi Veliu ka prezantuar në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese një projektligj që ka si synim mbrojtjen e florës dhe faunës nënujore. Sipas Veliut, anijet do të ndalohen të përdorin lëndë helmuese pasi sipas tij, dëmtohet zinxhiri ushqimor i gjallesave detare.

“Projektligji që po paraqesim sot ka si synim aderimin në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, ose siç quhet ndryshe Anti-Fouling. Sistemet Anti-Fouling janë materiale që shërbejnë për të lyer fundin e anijeve me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave bimore, si alga dhe molusqe, të cilat si pasojë ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve, rritjen e konsumit dhe ndotjen e ajrit.
Në periudhat e hershme anijet për të mos lejuar ngjitjen e gjallesave në pjesën e poshtme të tyre kanë përdorur lëndë helmuese si arseniku apo lëndë të tjera të cilat përveç molusqeve dhe algave dëmtonin dhe mjedisin nënujor duke ndikuar negativisht në zinxhirin ushqimor të gjallesave gjallesat detare apo te biodiversiteti.
Duke patur parasysh  rrezikun organizata detare IMO ka nxitur kërkimet për gjetjen e një sistemi që nuk do të lejonte ngjitjen e gjallesave në fundin e anijeve dhe që nuk do të dëmtonte mjedisin. Pas një pune të gjatë në fushën e shkencës, në muajin Nëntor të vitit 1999, IMO filloi punën për hartimin e një instrumenti ligjor për të gjitha shtetet anëtare IMO
“, u shpreh Ardi Veliu./tvklan.al