Programi i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhuroi këtë të premte për Policinë e Shtetit pajisje për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve që do shërbejnë për kontrollin dhe mbikëqyrjen në pikat e kalimit kufirit kufitar, ishin të pranishëm kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, si dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Teksa zbuloi pajisjet që tashmë do të përdoren nga autoritetet shqiptare, Veliu tha se vlera e tyre është 108.243 dollarë.

“Kontributi i ri i dhënë nga Programi i Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare të Shteteve të Bashkuara konsiston në pajisje të kontrollit kufitar në vijën e dytë dhe të mbikëqyrjes së kufirit, konkretisht në dy sete që përmbajnë videoskope dhe buster (pajisje për kontrollin e dendësisë); Pesë sete të pajisjeve për kontrollet në Pikat e Kalimit Kufitar; Si dhe videoskop e pajisje për mbikëqyrjen e kufirit, si kamera termike, dylbi nate elektrike dore profesional, me vlerën totale 108.243 US $“.

Nga ana e saj, ambasadorja Yuri Kim u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe se pajisjet e dhuruara për Policinë e Shtetit synojnë që të rrisin rezultatet e Policisë së Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ndërkufitare.  

Policia Kufitare disponon sot pajisje bashkëkohore, të cilat përdoren gjatë kontrollit në Pikat e Kalimit të Kufirit, kryesisht për kontrollin e kamionëve dhe autobusëve, për detektimin e lëndëve radioaktive, skaner portativ me rreze X, si dhe për mbikëqyrjen e kufirit si kamera termike, dylbi dite dhe nate, me rreze të gjatë dhe kamera SMARTDEC. Pajisjet janë vijim i mbështetjes së vazhdueshme nga Programi EXBS./tvklan.al