Ligji aktual i privatizimit të Bankës së Kursimeve lë hapsirë për të shitur 100% të aksioneve, ky është interpretimi i drejtorit të Bankës së Kursimeve Ardian Kamberi.

Ardian Kamberi: “Është normale që investitori të kërkojë 100% të aksioneve të bankës dhe kjo bazuar dhe mbi ligjin shqiptarë, ligjin tonë të privatizimit, i cili është i vitit 99 dhe thekson që investitor strategjik quhet, e thenë me fjalë të tjera, ai që do të ofrojë mbi 35% të aksioneve, që do të thotë nga 35-100% të aksioneve”.

Të dy bankat e para kualifikuara për tenderin e Dhjetorit austriakja Raiffeisen bank dhe hungarezja OTP bank kanë kërkuar të blejnë 100% të aksioneve. Formula e privatizimit në fakt parashikon që një pjesë e aksioneve ti akordohen institucioneve ndërkombëtare dhe të shiten me ofertë publike.
Kamberi mendon se shitja 100% e aksioneve të Bankës së Kursimeve do të ndikojë edhe në bankat e nivelit të dytë.

Ardian Kamberi: “Miksimi i Bankës së Kursimeve do të krijojë një impakt shumë pozitiv edhe në trregun shqiptarë, që do të imponojë një klientelë më të edukuar me sistemin bankar dhe për rrjedhojë do të rris dhe klientelën e këtyre bankave”.

Fakti që Banka e Kursimeve ka monopolin e bonove të thesarit nuk komplikon situatën sipas Kamberit, i cili akuzon Bankën e Shqipërisë për ngurtësi në ankandet e bonove.

Ardian Kamberi: “Duhet një punë me kujdes nga Banka e Shqipërisë, në mënyrën e zhvillimit të ankandeve që do të thotë të kontrrollojë pak a shumë edhe pjesmarrjen e saj në to, sepse duket që po të analizosh pjesmarrjen në ankande, Banka e Shqipërisë ka një pjesmarrje mjaft të lartë e cila është e panevojshme për sa kohë që sistemi ynë bankar ka mundësi ti marri këto bono thesari”.

Tenderi për privatizimin e Bankës së Kusimeve do të zhvillohet në mes të Dhjetorit./tvklan.al