Gjatë emisionit “Kampionët” specialisti i futbollit Arjan Peço tha se kampionatet europianë janë shumë të ekuilibruar dhe diferencat mes ekipeve po zvogëlohen. Sipas tij Portugalia e meritoi kualifikimin.
Peço: Në letër nuk ishte ndeshje e vështirë për Portugalinë. Por duke pasur parasysh ecurinë e Sllovenisë, një ekip i organizuar mirë, me struktura të qarta, me trajner të mirë. Portugalia e dominoi ndeshjen, por shkoi me penallti dhe penalltia është gjithnjë 50 me 50. Kampionati europian është shumë i ekuilibruar, jo si Kupa e Botës ku ka diferenca të mëdha. Nuk ka më sot në Evropë një ekip të vogël për t’u bërë tabelë qitjeje. Trajnerët studiojnë në shkolla të mira, lojtarët janë profesionistë të mirë dhe luajnë mirë, pavarësisht se nuk janë në ekipe të mëdha pasi ekipe të tilla janë në numër të vogël. Një disiplinë e mirë e Sllovenisë, një lojë skuadre ka sjellë vështirësi për portugezët. Leao nuk më pëlqeu, është si një pjesë e huaj e skuadrës. Lojtarët e Sllovenisë thuajse anonimë, por organizimi shumë i mirë, realizim shumë i mirë i detyrave të trajnerit. Portugalia ka një mesfushë shumë të mirë, por Sllovenia ka fituar pothuaj çdo duel në 16 metrat e fundit dhe sulmi gjithë kohës i Portugalisë i lodh mendërisht. Vrapuan shumë sllovenët dhe ndoshta kjo solli lodhje çka ndoshta bëri që të humbisnin penalltitë. Plus dhe portugezët kanë më shumë përvojë në këto turne.
/tvklan.al