Armand Duka u rizgjodh president i Federatës Shqiptare të Futbollit, për një mandat të pestë. Ai e pati të lehtë përballë deputetit socialist Bashkim Fino, edhe pse fitues u shpall në raundin e dytë. Duka kryesoi edhe në të parin, por pa arritur 2/3 e votave që nevojiteshin.
Armand Duka:
“Përkushtimi im do të jetë më i madh. Kjo asamble më ka mësuar shumë”.
Deputeti Fino e tensionoi garën me akuza të ashpra. Këtë strategji e ndoqi edhe ditën e votimit. Por ajo nuk gjeti mbështetje. Premtimet nuk i bindën delegatët.
Kandidimi i tij pa hequr dorë nga mandati i deputetit u denoncua nga Duka si ndërhyrje e politikës apo “një klani politik” në futboll siç u shpreh ai, një shqetësim që u ngrit edhe nga UEFA.
Edhe pse e uroi Dukën, ai tha se nuk do të ndalet dhe do të ndjekë rrugën ligjore për të kundërshtuar procesin.
Bashkim Fino:
“Do ta çoj në gjykatat tona dhe deri në FIFA dhe KAS”.
Por pretendimet e Bashkim Finos e morën përgjigjen pa vonesë nga UEFA. Zëvendëspresidenti i qeverisë Europiane të Futbollit, që e ndoqi nga afër garën, foli për një proces të drejtë.
Grigoriy Surkis, zv/president i UEFA:
“Procesi për zgjedhjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit ishte i drejtë. Delegatët treguan sens të lartë demokracie. Përgëzoj Dukën për fitoren, sepse i ka dedikuar 16 vite të jetës së tij futbollit. Ky proces nuk ka humbës. Edhe kandidatët e tjerë nuk kanë nevojë të jenë president të kontribuojnë në futboll”.
Certifikimi i procesit nga numri dy i UEFA–s ishte një tjetër goditje për Finon, një ish–Kryeministër dhe një deputet që del i mundur nga gara jo vetëm nga votat e delegatëve, por humbet i turpëruar edhe në tentativën për ta njollosur procesin.
Tv Klan