Kalimi në kampionatin indian e ka shkëputur edhe me kombëtaren shqiptare. Armando Sadiku mbetet larg kuqezinjve pavarësisht formës së mirë që po kalon për momentin. Dëmtimi i Rey Manaj dhe Armando Brojës u duk se rriti shanset e një rikthimi të 33-vjeçarit në urdhërat e trajnerit Sylvinho. Braziliani e përfshiu në grumbullimin e Qershorit 2023 dhe prej asaj kohe, Sadiku qëndron në pritje.
14 gola të shënuar në harkun e më shumë se një viti nga ana e Sadikut, i cili realizoi dy gola në sfidën e zhvilluar këtë të premte me ekipin e GOA. 33-vjeçari u tregua i ftohtë nga penalltia, ndërsa pak minuta më vonë shënoi për përmbysjen momentale në barazimin spektakolar me shifrat 3-3.
Performancë e mirë nga ana e Sadikut që pavarësisht largësisë së kilometrave dhe një niveli jo të duhur futbollistik dërgon sinjale për trajnerin Sylvinho. Katër gola të shënuar në 4 ndeshjet e fundit në kampionatin elitar të Indisë mund të shihen si ogur i mirë për Sadikun, i cili ende pret për të qenë sërish vendimtar me kombëtaren.
Klan News