Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Silvinjo, së bashku me ndihmësit e tij Doriva dhe Zabaleta, u takuan në Firence me mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Ardian Ismajli.

Stafi teknik bisedoi nga afër me qendërmbrojtësin dhe u interesua për gjendjen e tij pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen Juventus-Empoli.

Në fokus të bisedës ishte grumbullimi i kuqezinjve në mars, për dy ndeshjet e para të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2026, ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Lojtari vazhdon fazën e rikuperimit, ndërsa do të mungojë për sfidën e radhës në Serie A ndaj Milanit.

Në mbrëmje, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta ndoqën ndeshjen Fiorentina-Inter në stadiumin “Artemio Franchi”, ku në fund u aktivizua edhe futbollisti i Kombëtares, Kristjan Asllani.

Ndërsa sfidat e parë e kualifikueseve do të luhet më 21 Mars, trajneri Silvinjo është i shqetësuar për gjendjen e repartit difensiv.

Sidomos nga krahët, ku Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj janë të dëmtuar. Mbrojtësi i djathtë i Lacio u dëmtua në takimin kundër Cagliari-t. Klubi njoftoi se atij do t’i duhen të paktën 4 javë që të mund të rikuperohet plotësisht, por faza mund të shkojë deri në 45 ditë.

Edhe lojtari Al-Itihad ka një shqetësim në muskujt e poshtëm të barkut. Klubi saudit njoftoi se lojtari ka nisur fazën e rikuperimit, por një datë fikse për kthimin në fushë nuk ka. Një tjetër futbollist kuqezi, që po vazhdon fazën e shërimit është edhe sulmuesi Armando Broja.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në kualifikueset e Botërorit 2026 më 21 Mars kundër Anglisë në stadiumin “Wembli”, e tre ditë më pas pret Andorrën në Tiranë.

Ndeshjet do të transmetohen ekskluzivisht në Televizionin Klan.

Klan News