Armela Krasniqi: “Sokol Olldashi mjaft e keqpërdori detyrën e tij si ministër punësh publike duke punuar në fabrikën e shpifjeve të Sali Berishës ndaj Bashkisë së Tiranës. Të gjithë e dinë se kush është Sokol Olldashi, kurse ai u detyrohet të gjithëve përgjigjen për katastrofën në tunelin e Kalimashit. Prokuroria duhet ta kërkojë Sokol Olldashin të pandehur. Çdo ditë që shkon është një padrejtësi ndaj një populli të tërë.”
Altin Ndroqi: “Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, zoti Sokol Olldashi, paraqiti sot para jush dokumentacionin e një dosje të abuzimit skandaloz me pushtetin nga ana e kryetarit të bashkisë së Tiranës, zotit Edi Rama. Çuditërisht pas kësaj zoti Rama u shfaq në trajtën e Armelës për të ndërmarrë një sulm personal ndaj zotit Olldashi, por pa dhënë asnjë shpjegim për dosjen e korrupsionit të tij. Për t’ia bërë më të lehtë punën zotit Rama e ftojmë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve: Përse ka autorizuar shitjen e 1310 metra katrorë tokë shtetërore ne parkun Rinia? A ka qenë në dijeni të faktit se toka që po shitej ishte pronë shteti? Për ç’interesa mafioze ka shkelur ligjin nr.7180 të vitit 1995, neni 3 për shitblerjen e tokës, i cili e ndalon në mënyrë kategorike tjetërsimin e trojeve publike pa u mbyllur procesi i kompensimit të ish-pronarëve? Përse ka shkelur kodin civil, i cili nuk e lejonte zotin Rama të shiste një pronë që nuk ishte e vetja, pasi trualli, pronë shtetërore, nuk i ishte transferuar bashkisë në vitin 2005, gjë që do të thotë se Rama nuk kishte asnjë të drejtë mbi të? Mbi ç’bazë të cilit aktligjor u përcaktua çmimi 12 mijë lekë metri katror ne parkun Rinia? Pse iu vodhën qytetarëve të Tiranës vetëm nga ky operacion i Ramës 2.6 milion euro vlerë shitje trualli dhe disa dhjetëra milion euro nëse kalkulohet me vlerën ndërtimore? Në ç’mënyrë parashikon zoti Rama të dëmshpërblejë 2.6 milion euro ose 3.7 miliard lekë pronë e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilat i ndau me Beso Sulën, pasi sigurisht duhet të përgjigjet për këtë?”/tvklan.al