Hamasi dhe Izraeli po vazhdojnë me shkëmbimin e pengjeve izraelitë me të burgosurit palestinezë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Pengjet izraelitë që u liruan janë Sasha Trufanov, 29 vjeç, Shagi Dekel-Hen, 36 vjeç dhe Yair Horn, 46 vjeç. Ashtu si edhe në të kaluarën, dhjetëra luftëtarë të armatosur të Hamasit, me fytyrat e mbuluara, u ngjitën në podium së bashku me pengjet këtë herë në Khan Jounis, në pjesën jugore të Gazës.
Në atë që është bërë i njohur si sheshi i pengjeve në Tel Aviv, njerëzit shpërthyen në brohoritje dhe lot kur dëgjuan se Kryqi i Kuq rrugës, për t’i dorëzuar pengjet tek forcat izraelite. Ata u dukën të lehtësuar kur panë që të tre ishin në gjendje me sa duket më të mirë se tre pengjet e tjerë që u liruan javën e kaluar.
Pamja e dobët e tre pengjeve të liruar javën e kaluar dhe rrëfimet e abuzimit nga pengjet e tjerë që janë liruar që nga 19 Janari kur armëpushimi hyri në fuqi, kanë nxitur protestat në Izrael nga qytetarët të cilët kërkojnë që qeveria t’i përmbahet armëpushimit dhe të vazhdojë me fazën tjetër të marrëveshjes për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi.
Mundësitë që marrëveshja e armëpushimit të respektohet janë zbehur pas qëndrimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump , që palestinezët të zhvendosen përgjithmonë nga Gaza dhe që enklava t’i dorëzohet Shteteve të Bashkuara për t’u zhvilluar.
Ky plan i presidentit amerikan u refuzua nga grupet palestineze, shtetet arabe dhe aleatët perëndimorë.
Klan News