Tregut vendas të karburantit i është shtuar edhe nafta shqiptare Eurodiesel e prodhuar nga rafineritë e kompanisë ARMO.

Sipas drejtorit të kësaj kompanie, Rezart Taçi, për herë të parë pas 30 vjetësh arrihet të prodhohet naftë shqiptare me këto parametra cilësie.

Rezart Taçi: “Për herë të parë pas 30 vjetësh aktivitet kompania ARMO prodhon Eurodieselin. Nga analizat që kemi bërë deri tani rezulton që Eurodieseli ka parametra më cilësorë se Eurodieseli që importohet nga tregjet ndërkombëtare. Objektivi tjetër i kompanisë ARMO është që të arrijmë afër zeros përqindjen e squfurit në Eurodieselin tonë”.

Taçi pohon se kjo naftë do të jetë konkurruese në treg, por pa zbuluar çmimin e shitjes.

Rezart Taçi: “Me prodhimin e Eurodieselit ne do të dyfishojmë kapacitetet përpunuese të kompanisë ARMO kjo do ndikojë dhe në çmimet e Eurodieselit që do prodhojë kjo kompani. Një nga objektivat e tjera është dhe ulja e kostove të përpunimi. Kjo do sjelli ato benefite që thamë për konsumatorin, të ketë çmime më të lira sesa çmimet e tregut ndërkombëtar.”

Drejtori i ARMO-s, kompani e privatizuar vjeshtën e vitit të kaluar për 130 milion euro, tha gjithashtu se edhe vendeve evropiane për të arritur në këto standarde u janë dashur vite të tëra, ndërkohë që falë investimit në Shqipëri kjo teknologji u implementua për vetëm tre muaj./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro