Ndihmoi autorët pas atentatit të prokurorit Arjan Ndoja
Arrest në burg ka vendosur Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit për 29-vjeçarin Arjol Halilaj të arrestuar pak ditë më parë në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe 2 personave të tjerë.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa mësohet se Halilaj nuk ka pranuar të japë sqarime përballë togave të zeza.
I riu konsiderohet nga hetuesit si bashkëpunëtori dhe personi kyç që ka ndihmuar Redjan Rrajën dhe autorët e tjerë, duke i larguar me makinën e tij, pasi ata braktisën mjetin e përdorur në atentatin e 1 Nëntorit, në fshatin Shkafanë të Durrësit.
Avokatja e 29-vjeçarit Halilaj ka kërkuar kohë për t’u njohur me provat. Për këtë ngjarje është arrestuar më herët Redjan Rraja, i cili vijon të jetë nën masën “arrest me burg”.
Halilaj ka treguar përballë hetuesve se ka njohje me 35-vjeçarin Rraja, por ka mohuar të ketë marrë pjesë në atentatin e 1 Nëntorit, ku u plagos Prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Tv Klan