Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka dënuar arrestimin e serbëve në Kosovë dhe ka paralajmëruar se do ta diskutojë këtë çështje me përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së.
Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë ditës së sotme njoftoi se pesë persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër civilëve në vitin 1999.
Vuçiç u tha gazetarëve në Loznicë, Serbi, se ishte “lajm i tmerrshëm”, dhe akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurin si përgjegjës për të dhe kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mosreagimin.
“Ata po përpiqen të provokojnë çdo shtëpi serbe, çdo serb dhe t’ua bëjnë të qartë të gjithëve se serbët nuk duhet të jenë atje”, tha Vuçiç.
Ai kritikoi komunitetin ndërkombëtar për mosreagimin ndaj ngjarjeve të tilla: Është një heshtje e dhimbshme e bashkësisë ndërkombëtare.
Vuçiç tha se nesër do të bisedojë me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së për këtë dhe se, siç tha ai, do t’i pyesë “deri kur do të bëjnë sikur nuk e shohin”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ua ka caktuar nga 1 muaj paraburgim pesë të arrestuarve të sotëm./KlanKosova