Kreu i SPAK, Altin Dumani është shprehur se nuk i ka duart e lidhur derisa të ushtrojë detyrën e tij si prokuror. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve teksa iu përgjigj pyetjeve të Nokës, Dumani ka thënë se referuar dosjes “Partizani” dhe arrestimit të ish-kryeministrit Berisha, drejtësia nuk mund të sfidohet. Më tej, Dumani është shprehur se nuk është peng i askujt.

Flamur Noka: Korrupsioni është shumëfishuar. Mos vallë i keni duart e lidhura? Mos vallë keni një ngërç diku sepse Rama funksionon dhe me pengmarrje dhe ne e njohim si funksionon Rama. Ju i keni hapur proces ligjor kryetarit të opozitës pa asnjë fakt, pa asnjë provë dhe sot mban të burgosur politik atë pa akuzë, rast unik dhe i pabazuar në ligj. Nisët një proces ndaj tij në shkelje të kushtetutës.

Altin Dumani: Unë ai që kam qenë ai jam. Nuk i kam patur duart e lidhura në 2008 dhe nuk i kam duart e lidhura as në vitin 2023 edhe as në vitin 2024 edhe deri sa të ushtroj detyrën time si prokuror. Lëre drejtues, unë jam prokuror. E lidh veten time me prokuror. Politik? Nuk ka shans të jem politik dhe nuk ka shans të më ndikojë kush mua në punën time dhe ju e dini shumë mirë që nuk ka shans kush të më ndikojë në punën time. Zero shanse në punën time dhe të kolegëve të mi me të cilët ne ndajmë çdo problematikë dhe çdo shqetësim që kemi në punën tonë. Lidhur me çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit, ajo është një çështje nën hetim, unë nuk mund të prononcohem. Çdo vendim është i kontrollueshëm nga sistemi gjyqësor, por mund të them këtë që drejtësia nuk mund të sfidohet dhe nuk jam peng i askujt.


/tvklan.al