Altin Hajri është personi i shpallur në kërkim nga SPAK pas përgjimeve të dala nga aplikacioni Sky ECC që vunë në pranga edhe ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja. Hajri është ndërkohë në kërkim edhe për pengmarrjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në 17 Janar të vitit 2020.
Siç mëson gazetarja Glidona Daci, Altin Hajri është i përfshirë në korrupsion në zgjedhje.
Kujtojmë se të dielën iu vunë prangat Jurgis Çyrbjes dhe Ahmet Mashës. Ata u arrestuan pas dyshimeve se kanë përdorur Sky ECC dhe kanë bashkëpunuar me një grup kriminal në Durrës.
Jurgis Çyrbja akuzohet për veprat penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” .
Vetëm pak ditë më parë Jurgis Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Konkretisht bëhet fjalë për 4 raste të trajtimit të pronave në qytetin e Durrësit, ku ish-deputeti ka mbajtur postin e drejtorit të Hipotekës në vitet 2013-2016.
Këto episode për të cilën ka dyshime se ai ka shpërdoruar detyrën e tij, u zbuluan nga Prokuroria pas denoncimit të deputetit të PD, Edi Paloka, në vitin 2021./tvklan.al