Ish-deputeti i PS në qarkun e Durrësit, Jurgis Çyrbja është arrestuar me urdhër të SPAK pasditen e së dielës.
Po në kuadër të këtij hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme në pranga gjithashtu ka rënë dhe një person i identifikuar si Ahmet Masha, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Burime pranë SPAK i thanë Tv Klan se 3 të akuzuarit, mes të cilëve dhe ish-deputeti, janë arrestuar pas dyshimeve se kanë përdorur SKY ECC dhe kanë bashkëpunuar me një grup kriminal në Durrës.
Lidhur me ngjarjet ku dyshohet se janë përfshirë 2 të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim, SPAK nuk jep detaje.
Por në një reagim jozyrtar, sqaron se Jurgis Çyrbja akuzohet për veprat penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” .
Ish-deputeti u prangos në qytetin e Shijakut nga policia teksa po udhëtonte me makinën e tij, ndërsa Ahmet Masha mësohet se është kapur në aeroportin e Rinasit.
Çyrbja u mbajt në Drejtorinë e Policisë së Durrësit për t’u transportuar më pas drejt Tiranës.
Vetëm pak ditë më parë Jurgis Çyrbja u mor i pandehur nga SPAK për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Konkretisht bëhet fjalë për 4 raste të trajtimit të pronave në qytetin e Durrësit, ku ish-deputeti ka mbajtur postin e drejtorit të Hipotekës në vitet 2013-2016.
Këto episode për të cilën ka dyshime se ai ka shpërdoruar detyrën e tij, u zbuluan nga Prokuroria pas denoncimit të deputetit të PD, Edi Paloka, në vitin 2021.
Tv Klan