Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt përmes një zëdhënësi të Komisionit Europian. BE nuk preferon të komentojë mbi procedurat në vazhdim megjithëse thotë se po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin nga Veliajt. Në reagim thuhet se reforma në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në BE.

Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim. Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Më tej, thuhet se BE mbetet e përkushtuar në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave. Ndërkohë, për SPAK theksohet se pavarësia e Prokurorisë në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë më rëndësi themelore në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thuhet në reagimin e BE-së./tvklan.al