Milani do të përballet këtë të Mërkurë me Feyenoord në Champions League. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për të dyja ekipet, por do të jetë e veçantë për njërin nga lojtarët.
Santiago Gimenez, vetëm pak ditë më parë u largua nga Feyenoord dhe u transferua te kuqezinjtë. Duke folur për këtë para ndeshjes, sulmuesi meksikan u shpreh se nuk do të festojë, në rast se shënon ndaj ish-skuadrës së tij.
Ndër të tjera ai zbuloi se numrin 7 te skuadra italiane e zgjodhi prej ish-sulmuesit, Andriy Shevchenko.
“Unë do e përjetoj ndeshjen në mënyrë intensive dhe shumë emocionale. Për mua ndjesitë janë të parat. Nëse do të shënoj ndaj Feyenoord, nuk do të festoj. Është një klub që e respektoj shumë dhe më ka dhënë shumë. Numrin 7 te Milani e zgjodha prej Shevchenko-s, një legjendë e klubit. E di që peshon shumë, por është një sfidë që më pëlqen. E kam ëndërruar të luaj këtu”, deklaroi Gimenez.
/tvklan.al