Pas 6 orësh seancë dhe 2 orë e 30 minuta në dhomë këshillimi, gjyqtari Erion Bani la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj, i dyshuar për veprat penale “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Në seancën maratonë, e vetmja masë e cila u ndryshua nga vendimi i marrë në mungesë, ishte ajo ndaj Ajola Xoxës e dyshuar për 3 vepra penale; “Korrupsion pasiv funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Pastrimi parash”, “mosdeklarimi i pasurive”.
Për bashkëshorten e kryebashkiakut trupa gjyqësore vendosi lënien në “detyrim paraqitje”, nga “arrest në shtëpi” të caktuar më herët nga gjyqtari i çështjes Erjon Bani.
Në seancën e verifikimit të masës, Erion Veliaj mohoi akuzat dhe tha se i ka shërbyer vetëm detyrës së tij. Ai kërkoi zëvendësim të masës, duke ofruar edhe garanci pasuror.
“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë jam një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diel, edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot”.
Me garanci pasurore kërkoi të lirohej edhe Abule, por kërkesat të dyja u rrëzuan.
Të pandryshuara u lanë masat e sigurisë dhe për 5 biznesmenët e tjerë, 1 prej të cilave ende nuk është ekzekutuar pasi personi ndodhet jashtë shtetit.
Sipërmarrësit e pranishëm në seancë, refuzuan të japin një reagim për mediat në dalje.
Të njëjtin qëndrim karshi interisimit të mediave pati dhe Ajola Xoxa.
Ndërkohë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, doli nga pjesa e pasme e Gjykatës së Posaçme, aty ku nën ovacionet e mbështetësve të tij, u transportua për në paraburgimin e Durrësit.
Qytetarë dhe mbështetës së kryebashkiakut ishin të pranishëm në pjesën e përparme të gjykatës që prej orës 8:30 të mëngjesit, kur Veliaj u shoqërua dhe u fut në ambientet e gjykatës, e deri në mbrëmje kur seanca përfundoi.
Mes mbështetësve të kryebashkiakut nuk munguan figurat publike, mes të cilëve Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare, si dhe atletja Luiza Gega.
Tv Klan