Edi Rama ka bërë komentin e tij të parë për arrestimin e bashkëpunëtorit të tij të hershëm, kryebashkiakut Erion Veliaj, një ngjarje tejet e madhe sipas tij, që e ka detyruar të heqë dorë pas vitesh nga standardi i vendosur për të mos komentuar asnjë çështje në hetim nga drejtësia.
“Marrja e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla çerek milion zgjedhësh, është një ngjarje tejet e madhe, të cilën unë nuk mund ta kaloj me formulën 5-vjeçare “Nuk kam koment, nuk kam koment””, tha Rama.
Rama thotë se është i shqetësuar për mënyrën sesi është proceduar nga prokurorët e çështjes së Veliajt.
“Rastin e Erionit unë e kam ndjekur. E kam ndjekur për një sërë arsyesh që do duan kohën e tyre për t’u shpjeguar, ku ajo që më ka shqetësuar shumë seriozisht dhe më ka nxitur që të bëhem shumë i vëmendshëm në ndjekjen e këtij rasti, ka qenë intimidimi, e dëgjuat mirë, intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës. Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh”, tha Rama.
Kryeministri futet dhe në detaje të akuzës së prokurorisë ndërsa ngre pikëpyetje dhe për masën e arrestit në shtëpi të bashkëshortes së Veliajt, nënë e një fëmijë të mitur.
“Prokurori, gjykatësi paraprak bashkë, kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë në arrest shtëpie, pasi babain e kanë çuar në paraburgim. Pyetja që lind është shumë e thjeshtë, jo vetëm kush e çon dhe e merr këtë fëmijë nga shkolla, por kush dhe si i jep këtij fëmije për të ngrënë e kështu me radhë”, tha Rama.
Duke nisur nga sot kryeministri tha qe jo vetëm do të flasë, por Partia Socialiste do të hartojë një qëndrim të qartë e të konsoliduar për dy standardet që sipas tij po tregon drejtësia e re, të cilës i mungon kritika konstruktive dhe janë mbuluar nga balta edhe denigrimi i opozitës.
“Kam shumë respekt për punën e SPAK-ut dhe e kam mbështetur e do ta mbështes. Natyrisht edhe puna e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë. E konsideroj të mbyllur fazën e 5 vjetëve “no comment”. Ne do të ndërtojmë një pozicion konstruktiv. Heshtja jonë është keqkuptuar jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi, por është keqkuptuar më duket mua edhe nga disa konsumatorë të reformës. Ne do ta bëjmë këtë proces me maturi, me argumente, me prova konkrete për çka sipas nesh nuk shkon, për të mos lejuar që në emër të qëllimit tonë madhor të pavarësisë së drejtësisë nga pushteti politik, individë të caktuar t’i japin vetes të drejtën e shpërdorimit të detyrës së prokurorit apo të gjykatësit duke shkelur kufijtë ndarës mes pushteteve kushtetuese. Këta konsumatorë, disa prej tyre, duhet t’ia kursejnë shtetit dhe shoqërisë çorbën e derrit në menunë e drejtësisë”, tha Rama.
Rama ju kujton njerëzve të drejësisë së re privilegjet speciale që gëzojnë.
“Flitet për pagat e deputetëve, por pagat e deputetëve nuk krahasohen me pagat e tyre”, tha Rama.
Kreun e SPAK-ut në të vetmen herë që e përmendi nominalisht ishte kur kujtoi se çfarë ka bërë ai për të luftuar korrupsionin përpara se Partia Socialiste të vinte në jetë reformën nëdrejtësi.
“Altin Dumani për shembull e ka pasur 21 Janarin në tavolinë edhe më parë kur ka qenë në një prokurori të zakonshme. Ka pasur mundësi ta luftojë korrupsionin edhe atëherë. Dini gjë të ketë bërë ndonjë luftë kundër korrupsionit që t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani?”
Ironizon ekzaltimin sipas tij që demokratët përjetuar nga fakti që ish-konsulenti i presidentit Trump do të drejtojë fushatën e tyre.
“Kanë pasur dje një ditë masturbimi kolektiv tamam si ata adoleshentët që bëjnë dashuri me foton e një aktoreje filmash atje lart në mur. Shpallën një fitore dje sepse sollën me kushedi sesa lekë një konsulent që paska punuar edhe me presidentin Trump. Luli për shembull kishte më shumë sesa një konsulent, e kishte partinë shumë më në formë dhe arriti një rezultat që këta do ta shohin me dylbi më 11 Maj, sepse nuk ka konsulent që e bën dot bufin e kënetës të duket si kalë me fletë, nuk ka”.
Gjatë komunikimit virtual Rama e përjetoi shumë keq momentin kur pati një shkëputje të lidhjes live në një nga rrjetet ku po komunikonte.
Por në komentin që bëri për këtë shpërthim që u bë viral në rrjete sociale tha se është i vërtetë në pasionin me të cilin i bën punët.
“Është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër, i gjithi njësoj si ata trajnerët te vija e bardhë që i bien kokës me grushta kur skuadra nuk bën golin. Kështu ma nxorrën dhe sëpatën për t’i thënë shqiptarëve që shiko ky është i rrezikshëm mos votoni këtë, por shqiptarët ua dhanë përgjigjen”.
Tv Klan