Pas arrestimit të presidentit të klubit sportiv “Partizani” Albert Xhani Prokuroria e Tiranës ka deklaruar se ndaj këtij personi rëndon dhe një akuzë tjetër. Prokuroria po heton Xhanin për shpërdorim detyre dhe ka sqaruar se bëhet fjalë për mospagim të qirasë për 4 vjet nga ana e klubit “Partizani” për Ministrinë e Mbrojtjes. Megjithatë përfaqësuesit e organit të akuzës nuk kanë sqaruar përse e kanë tërhequr dosjen nga Gjykata e Tiranës ku pritej të nisej procesi për tjetërsim pasurie. Deri në çastin që kjo dosje u depozitua në gjykatë, biznesmeni Xhani u hetua i lirë ndonëse u mor në cilësinë e të pandehurit katër muaj më parë. Prokuroria ka kërkuar arrestimin e tij pas akuzës së dytë për shpërdorim detyre, ndonëse kjo vepër ndëshkohet sipas kodit penal më pak sesa ajo për tjetërsim pasurie. I vetmi shpjegim që jep Prokuroria e Tiranës është se tani është parë e arsyeshme që kësaj dosje t’i shtohet një akuzë tjetër që u shoqërua dhe me prangosjen e presidentit të partizanit. Ky akt i Prokurorisë ka lënë shteg për dyshime sa i përket veprimtarisë së saj. Ndërsa avokati i Xhanit tregon se nuk ka marrë ende një kopje të vendimit të Gjykatës për masën e sigurisë dhe kjo konsiderohet si jo normale.

“Praktikisht neve nuk kemi në dorë akoma vendimin e Gjykatës, përcaktimin e masë-arrestit që të shikojmë të paktën arsyetimin normal të Gjykatës së rrethit. Fakt është që ai gjatë gjithë kohës ka qenë këtu për muaj të tëra, ka qënë prannë hetuesisë, pranë gjykatave, ka qënë i paraqitur në seanca gjyqësore për rastin e parë, pranë gjykatave civile që janë gjykuar çështjet e padive civile të tija dhe asnjëherë s’ka pasur ndonjë mendim për t’u larguar dhe duke qënë në kushte të tilla nuk kishte pse të arrestoheshe.”

Reagime ka patur jo vetëm nga avokati mbrojtës i Xhanit, por edhe nga politikanë e juristë.

Preç Zogaj: “Nuk është një problem që zgjidhet me arrestimin, sepse personi është këtu, ka prona, bëhet fjalë për shqyrtimin e disa pronave, nuk bëhet fjalë, as për arratisje, as për vjedhje etj, etj., dhe kam përshtypjen se arrestimi i tij i bujshëm ditën e djelë është një veprim i nxituar. Kjo është deklarata më e butë për të mos thënë gjëra të tjera duke e parë arrestimin e tij në kontekstin e një lloj agresioni që ka ndaj mjaft biznesmenëve, është dhe një formë për t’u vënë gjoba atyreve.”

“ Unë ende nuk jam njohur me pretendimet dhe akuzat që njeh organi i Prokurorisë përveç asaj, atyre që janë deklaruar në televizor, gjithsesi jam kundër veprimeve për bujë.” /tvklan.al