Sasi kokaine e heroine me vlerë plot 810 mijë euro. Policia e Vlorës bën me dije se është finalizuar operacioni “VORTEX”, në kuadër të të cilit janë vënë në pranga 2 persona, për prodhim e shitje lëndësh narkotike. Mësohet se fillimisht në makinën e njërit prej tyre u gjet një sasi e vogël kokaine, ndërsa më pas në banesën e 53 vjeçarit u sekuestruan thuajse 3 kg.
“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, me mbështetjen e inteligjencës informative, operacioni policor i koduar “VORTEX”. Transportonin sasi të lëndëve narkotike në Vlorë, për t’ua shitur shtetasve të tjerë që i shpërndanin në doza, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar, pas 4 javësh hetime, operacionin policor të koduar “VORTEX”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier. Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur. Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroine”, thotë Policia.
Dyshohet se ata e siguronin drogën në sasi të mëdha në Fier dhe më pas e transportonin në Vlorë, ku e shisnin me doza.
/tvklan.al